Pas shumë vitesh Lulzim Beqiri mori përsëri dy nga pikturat e tij të humbura dhe emocionet që përjetoi ishin të përziera. Fillimisht nuk mund ta kuptonte se kur dhe si i kishte realizuar ato, por më pas, duke lexuar dosjet e tij, e kuptoi arsyen. Rikthimi i veprave i hapi rrugën për të realizuar ekspozitën e tij të parë. Gazetarja Blerina Gjoka, e cila shkroi skenarin e dokumentarit mbi jetën e tij, tregon se gjithçka nisi kur u njoh me arkivistin Astrit Jegeni, i cili i tregoi për dy piktura që kishte ruajtur në shtëpi prej dekadash. Jegeni, që prej vitit 1992, ishte përpjekur të gjente autorin e tyre, duke ditur vetëm emrin. Pasi arriti të gjente numrin e telefonit të Beqirit, Blerina organizoi takimin mes tyre, i cili u filmua dhe shënoi fillimin e një miqësie të re. Ndërkohë, Beqiri, që prej kohësh nuk pikturonte më, ka rifilluar të krijojë.





















