Në të tretën ditë, banorët e Rrjolit të Shkodrës po vijojnë protestën kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. 25 banorët që u shoqëruan një ditë më parë, janë liruar dhe janë rikthyer sërish në protestë me banorët e tjerë.
Nuk kanë munguar as përplasjet me efektivët e policisë, të cilët i kanë larguar nga rruga ku kanë nisur punimet për ndërtimin e resortit lukoz të botuesit pranë familjes Berisha. Siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, gjatë përplasjes me policinë, një prej protestuesve nuk është ndjerë mirë dhe ka pësuar gjendje të fikti. Në këtë moment, protestues të tjerë i kanë ardhur në ndihmë.
Më 15 janar të këtij viti, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik gjigant në zonën bregdetare, ndërmjet Ranës se Hedhun dhe Velipojës. Kompleksi, sipas projektit do këtë sipërfaqe rreth 146 hektarë, një nga investimet më të mëdha turistike në vend. Por për banorët, kjo leje nuk zhbën realitetin e ashpër pasi toka e tyre është zaptuar nga privati dhe shteti është vënë kundër tyre për të shtypur protestën me dhune.
















