Bardhi i kthen 'reston' Lleshajt, padi ministrit dhe policëve për gazin dhe ujin me presion

20 Mars 2019, 14:25

Partia Demokratike padit ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj dhe disa punonjës të policisë së Shtetit, duke i akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe veprime të paligjshme kundër protestuesve gjatë tubimit që opozita mbajti më 16 mars dhe që shpërtheu në dhunë tek Parlamenti. Partia Demokratike e ka dorëzuar padinë penale në Prokurorinë e Tiranës, përmes sekretarit të përgjithshëm të kësaj force politike Gazment Bardhi. Kujtojmë se vetë Bardhi është në hetim në gjendje të lirë për protestën e opozitës, pasi si organizator i saj duhet të mbante përgjegjësi për mospërshkallëzimin në dhunë dhe thirrjen ndaj simpatizantëve të PD-së për tu tërhequr nga përplasjet dhe dhunat ndaj efektivëve të policisë dhe institucioneve.

“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht.”- thuhet në letrën shoqëruese qe Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës.

Si provë në Prokurorinë e Tiranës, PD ka dorëzuar edhe një video me pamje filmike të mbledhura nga protesta.

“Qëllimi i Policisë ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji. Pamjet filmike provojnë një veprim kriminal të punonjësve të Policisë së Shtetit, që sulmojnë me gaz edhe qytetarë që janë të shtrirë në rrugë për shkak të problemeve shëndetësore apo qytetarë që përpiqen t’u vijnë në ndihmë atyre. Kjo është qartazi, jo vetëm shpërdorim detyre, por edhe një tentativë për të rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve.”-vërejti Sekretari i Përgjithshëm i PD.

PD i kërkon Prokurorisë të pezullojë nga detyra minsitrin dhe efektivët e policisë, edhe pse thotë se organi i akuzës është shndërruar "në një seksion të certifikimit të paligjshmërive të Policisë së Shtetit".