Nisin përplasjet e para mes përfaqësuesve të opozitës dhe Policisë te Sheshi Uilson. Tubuesit kanë bllokuar rrugën dhe qarkullimin, teksa uniformat blu të bëra gardh kërkojnë lirimin e aksit, teksa moti i keq me reshje shiu ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët.
Policia paralajmëroi lirimin e rrugës, por kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi u përball me ta, duke thënë se tubimi është i ligjshëm dhe s’ka nevojë për leje në Polici.
Gazment Bardhi: Jemi paqësor, na keni rrethuar. Ju lutem mos provokoni protestuesit, kemi të drejtën për të protestuar Mos ndërhyni, kam të drejtë kushtetuese!
Policia: keni bllokuar rrugën, po shkelni ligjin, lirojeni!
Bardhi: Rrugën do ta bllokoj, nuk do ta bëj te ballkoni shtëpisë tuaj, nuk keni të drejtë të pengoni qytetarët. Është detyra juaj të merrni masa të devijoni trafikun. Garantoni lëvizjen e qytetarëve, merrni masat, ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë në raste tubimi nuk merret leje, por njoftohet. Ne ju kemi njoftuar.
Policia: Nuk keni marrë leje, po shkelni ligjin, duhet të lironi rrugën!
Bardhi: Nëse doni ndihmë për trafikun ju ndihmojmë ne. Unë po flas për ligj dhe uniformë, jeni me uniformë. Më thoni ku po e shkel ligjin. Devijoni trafikun më poshtë. Nuk kemi qëllim bllokimin e lirisë së qytetarëve. Ju garantoni tubim dhe lëvizjen e lirë, jemi paqësisht, s’kemi ndërmend për akte dhune. Respektoni Kushtetutën dhe Ligjin, ndaj mos ndërhyni. Nuk ka qytetarë të dorës së parë dhe dorës së dytë, ku disa kanë të drejtë dhe disa jo.
Policia: Duhet të lironi rrugën... (thirrje me megafon)
Luan Baçi: Mos fol me megafon, po bën gabim o burrë...!
Policia me megafon: Hapni rrugën, të nderuar qytetarë, po shkelni ligjin. Do zbatojmë ligjin, lironi rrugën.
Bardhi: Është e drejtë kushtetuese, zbatoni ligjin...