Edhe pse mbi krye ka vetëm humbje të njëpasnjëshme zgjedhjesh, Lulzim Basha vijon të tentojë të bind demokratët se ai është zgjedhja më e mirë dhe se 25 prillin nuk e kanë humbur, por ishte regjimi i korruptuar Rama-Doshi që u mori shqiptarëve nga duart ndryshimin. Edhe pse një pjesë e mirë e demokratëve ka pranuar humbjen dhe kërkojnë largimin e Bashës, kryedemokrati vijon të bëjë premtime se ai do të bind aleatët që 25 prilli ishte 'masakër zgjedhore' dhe më pas do rivendoset demokracia në vend.
Basha tha para demokratëve të Kavajës dhe Rrogozhinës se ai është e vetmja shpresë për të rikthyer demokracinë në vend dhe të sjellë ndryshimin që meritojnë shqiptarët."Ajo që ka ndodhur me 25 prill nuk është një proces tjetër zgjedhor me disa probleme. Me 25 prill ka rënë perdja e hekurt dhe është asgjësuar instrumenti i vetëm i ndryshimit që kishte mbetur që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka rënë demokracia. Pra, beteja sot nuk është më një përballje midis dy kampeve politike dhe nuk është një përballje thjesht dhe vetëm për të rritur e shtuar mbështetjen elektorale. Beteja sot është ekzistenciale, do të kemi apo s’do të kemi demokraci në këtë vend. Tani çështja është kush do ta bëjë këtë punë. Kush përveç nesh e ka forcën për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ka moralin për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ruajti besimin e shqiptarëve për ta çuar deri në fund misionin dhe kërkesat e vullnetin e tyre për ndryshim? Ndaj kemi një detyrim të dyfishtë jo vetëm përpara sakrificës së demokratëve të cilët ju pritë në këtë betejë, por mbi të gjithë para fateve të Shqipërisë, para fateve të shqiptarëve dhe familjeve tyre për ta çuar betejën deri në fund. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin. Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës", tha Basha nga Kavaja.




