Basha si Meta kundër ndërkombëtarëve: Kush njeh 30 qershorin është kundër demokracisë

3 Korrik 2019, 18:33

Pasi presidenti Ilir Meta sulmoi ndërkombëtarët duke thënë se nuk kanë bërë përpjekje reale për dialog politik për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, në të njëjtën linjë, edhe kryedmokrati Lulzim Basha radhitet kundër ndërkombëtarëve.Në një reagim për procesin zgjedhor të 30 qershorit, të cilin ai e quan nul, Basha thotë se çdokush që njeh zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shërben demokracisë dhe interesit të shqiptarëve.

Por duket se lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka një qëndrim krejt tjetër nga presidenti Ilir Meta për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Teksa kreu i shtetit dha propozimin e tij për ta kthyer 13 tetorin në datë për tre zgjedhje, vendore, parlamentare dhe presidenciale, kreu demokrat zgjidhjen politike e sheh tek ndëshkimi i fenomenit të shit-blerjes së votave.

Një ditë më parë, presidenti Ilir Meta, në një linjë me opozitën, tha se 30 qershori ishte datë e votimeve socialiste. Ai dha ofertën e tij për zgjidhjen e krizës politike, dhe ftoi të gjitha palët të nisin dialogun me të dhe të japin propozimet e tyre. E vetmja forcë politike që e mirëpritën propozimin e Metës ishte LSI-ja, partia që Meta i la bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, kur u zgjodh president. Më herwt Basha është shprehur se nuk do të futet në asnjë proces zgjedhor me Edi Ramën kryeministër. 

Reagimi i Bashës

Qëndrimi le ta uzurpojë pushtetin vendor Edi Rama në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme, se pas ca muajsh do krijojmë Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj gjykon ajo me prapaveprim, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe me parimet bazë të demokracisë. 
 
30 qershori ishte jo vetëm veprim anitkushtetues dhe antidemokratik, por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve. Votimet e 30 qershorit, përtej një farse antiligjore, u manipuluan me cdo mjet dhe mënyrë, që nga manipulimet ligjore dhe kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit. Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve. 
 
Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. Këtë gjë e vendosën vetë shqiptarët më 30 qershor, në shumicë dërrmuese. Kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit. E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin.
 
Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike. 30 Qershori është nul, sepse cënon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik.

    No videos found.