Basha sinjale dialogu Ramës për Reformën Zgjedhore: Gati platforma politike, nuk ka datë për protestat

5 Shtator 2019, 22:26

TIRANE-Vjeshta ka ulur tensionet dhe duket se nuk do ta gjejë opozitën më në rrugë, si në pranverë, por në tryezë me shumicën qeverisëse në një platformë kombëtare për daljen e vendit nga kriza që e ka mbërthyer prej 16 shkurtit të këtij viti. Pas raportit të OSBE-së për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit dhe rekomandimeve, kryeministri Edi Rama i shtriu edhe njëherë dorën për dialog dhe bashkëpunim opozitës  jashtë parlamentare të drejtuar nga Lulzim Basha për reformën zgjedhore.

"Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogu e bashkepunimi, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë.

Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë" tha kreu i qeverisë.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama për dialog dhe bashkëpunim në mesditë erdhi reagimi i parë i Lulzim Bashës, i cili theksoi se reforma zgjedhore është prioriteti i menjëhershëm i opozitës. "Shqipëria ka nevojë që të ripërqafojë vlerat e pluralizmit, demokracisë, ligjit dhe lirisë. Kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike. Ky është prioriteti ynë i menjëhershëm" tha Basha.

Mesazhi dhe ulja e tensionit duke lënë të nëkuptohet se forca nuk do të tregohet më në rrugë, por në tryezë u përforcua edhe në mbrëmje pas takimit që Lulzim Basha zhvilloi me aleatët. Në përfundim të takimit prej më shumë se një orë, lideri demokrat në një prononcim për mediat foli për një platformë kombëtare për daljen e vendit nga kriza duke e bërë më konkret hapin.

"Në respekt të këtyre përgjegjësive, që kemi, ndjejmë dhe priten prej nesh, siç kemi hedhur disa hapa domethënës, me propozimet tona politike dhe legjislative për rikthimin e Shqipërisë në binarët e ligjit, të shtetit të së drejtës dhe demokracisë, jemi gati të ofrojmë edhe një propozim apo platformë kombëtare për hapat që duhet të kryhen për daljen e vendit nga kriza, sepse gjendja është kaq e rëndë dhe pasojat e kësaj gjendjeje janë kaq të tmerrshme mbi njerëzit, saqë largimi i Edi Ramës, një orë e më parë, nuk mjafton. Duhet të kemi hapa të vendosur transformues për vendin, ndryshime të thella politike, ndryshime të thella zgjedhore, reformë të thellë zgjedhore dhe ndryshime të thella sa i përket shtetit të së drejtës" tha Lulzim Basha (lexo ketu te plote).

Gjithashtu një tjetër element që forcon akoma më shumë idenë e heqjes dorë nga protestat si alternativë e parë e imponimit ndaj shumicës ishte edhe fakti se Basha nuk dha një datë për protestat. I pyetur nëse do të ketë rikthime te protestat ai tha se 'Sapo të kemi datën për protestën do ta shpallim', por pavarësisht paralajmërimit opozita duket se e ka zhvendosur lëvizjen nga tubimet te platforma, ndërsa gjithcka pritet që të nisë pikerisht nga Reforma Zgjedhore. 

Por ku ka mbetur puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore? Ky komision pas largimit të opozitës PD-LSI nga Kuvendi bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga PS-ja dhe Rudina Hajdari nga opozita e re, kryetare e grupit demokrat në parlament. Komisioni përbëhet nga anëtarë socialistë dhe deputetë të opozitës së re.

Por shumica socialiste, pavarësisht se PD-ja nuk është pjesë e komisionit me përfaqësues të saj, i ka lënë të drejtën e vetos për të vendosur për sistemin e ri zgjedhor, por edhe cështje të tjera. Afati i punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore është deri në datë 28 Nëntor.

Në datë 25 maj të këtij viti Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore u dakordësua që brenda 31 Korrikut të ketë përfunduar dhe miratuar ndryshimet në kuadër të rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it. Brenda 30 Shtatorit parashikohet që të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit.

Gjithashtu, deputetët u dakordësuan që të hapen konsultimet publike për çështjen e sistemit zgjedhor, nëpërmjet një tryeze gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e partive politike, partnerëve ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të interesuar.

Sipas kalendarit, deri në 31 Tetor komisioni do të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike dhe brenda 28 Nëntorit, komisioni do duhet të ketë përmbyllur edhe diskutimet mbi çështjen e sistemit zgjedhor.

Por palët janë ende larg një marrëveshje, edhe pse sinjalet e para janë për një bashkëpunim të mundshëm. Pas miratimit të reformës në drejtësi, reforma zgjedhore duket se është objektivi kryesor tashmë edhe i ndërkombëtarëve, që po këmbëngulin fuqishëm për miratimin e kësaj reforme.

    No videos found.