BE hap kufijtë për të gjithë personat e vaksinuar plotësisht

19 Maj 2021, 16:04 | Përditesimi: 19 Maj 2021, 16:04

Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje për të hapur kufijtë për personat që janë “vaksinuar plotësisht”.  Ambasadorët nga 27 vendeve anëtare të BE miratuan një propozim të Komisionit Evropian të datës 3 maj për të lehtësuar kriteret për të përcaktuar vendet "të sigurta" dhe për të lejuar turistët e vaksinuar plotësisht nga diku tjetër.

Lajmi vjen në një kohë kur në muajin qershor pritet të hyjë në përdorim certifikata e vaksinimit. Një përpjekje e tillë tregon se BE është e vendosur të krijojë kushtet e përshtatshme për rikthimin e turizmit në nivelet para pandemisë.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord  të mërkurën për rihapjen e kufijve të bllokut për udhëtarët jashtë BE-së, që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Vendimi, i cili është rekomanduar më herët nga Komisioni Evropian, vlen vetëm për të vaksinuarit me vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave, Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca. Ndërkohë që për vaksinat e njohura nga OBSH, pritet një vendim i mëvonshëm.

Me këto të dhëna, udhëtarët nga vende të tilla si Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të mund të udhëtojnë në Shtetet Anëtare të Bashkimit pa pasur nevojë të futen në karantinë.

Nën kufizimet aktuale, njerëzit nga vetëm shtatë vende, përfshirë Australinë, Izraelin dhe Singaporin, mund të hyjnë në BE për pushime, pavarësisht nëse janë vaksinuar.

Kriteri kryesor aktual është që të mos ketë më shumë se 25 raste të reja COVID-19 për 100,000 njerëz në 14 ditët e fundit. Trendi duhet të jetë i qëndrueshëm ose në rënie dhe duhet të ketë një numër të mjaftueshëm të testimeve, të cilat do të duhet të tregojnë një përqindje minimale të testeve negative.

b.ha./Shqiptarja.com