Behar dhe Safet Bajri në gjyq: Të keqen e kemi nga Anton Martini! Akuza të sajuara, na duan në burg

23 Nëntor 2019, 12:58 | Përditesimi i fundit: 2019-11-23 17:15:12

TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda po njeh me masat e sigurisë 10 personat e grupit 'Bajri' dhe akuzat që ngriti prokuroria pak ditë më parë. Report Tv ka zbardhur deklaratat e Safet dhe Behar Bajrit në gjyq gjatë seancës te Krimet e Renda, të cilët kanë mohuar akuzat e reja të ngritura nga prokuroria, raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra.

"Gjithcka e kemi nga Anton Martini (Ka qenë prokuror në Shkodër para dy vitesh). Janë akuza të sajuara, duan të na mbajnë në burg me cdo kusht. Mos na mbani pa të drejtë" mësohet se kanë thënë ndër të tjera Behar dhe Safet Bajri, kushërinj të parë.

Për katër anëtarë të grupit Bajri dje u shua masa e sigurisë me burg për akuzat e ngritura nga prokuroria për operacionin e shtatorit të vitit të kaluar. Por duke qenë se prokuroria nuk arriti të mbyllte hetimet dhe të dërgonte dosjen në gjyq ngriti akuza të reja për gjobëvënie dhe ndikim të paligjshëm për punësime në spitalin e Shkodrës duke kërkuar sërish arrestimin e tyre, pra që të vijojnë të qëndrojnë në qeli duke bllokuar lirimin.

Pak ditë më parë prokuroria në vijim të operacionit 'Oaz' kërkoi masat 'arrest me burg” për Behar Brajoviq, i njohur edhe me mbiemrin Bajri, Safet Rustemin, Ilir Rustemin, Asmer Bilalin, Ismet Idrizin dhe Jorida Muratin. Po e njëjta masë sigurie është caktuar në mungesë edhe për Sirjan Alijan, tashmë i shpallur në kërkim. Bajrat dhe personat e tjerë akuzohen se ushtruan presion dhe kërcënuan zyrtarët e spitalit të Shkodrës që të punësohej mikja e Behar Brajoviq, Jorida Murati, e cila merrte pagën pa shkuar në punë prej një viti.

Jorida Murati gjatë hetimeve ka rezultuar se në prill të 2018  ka qenë tepër aktive duke mbajtur kontakte të plota dhe të qarta në lidhjen midis grupit kriminal me Behar Brajoviq, që e takonte rregullisht në Holandë kur ishte në paraburgim dhe informonte grupin në Shqipëri.

Masat arrest me burg
Behar Brajoviq (Bajri), akuza; ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Safet Rustemi, akuza; shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ilir Rustemi, akuza; shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Asmer Bilali, akuza; prodhim dhe shitje e narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ismet Idrizi, akuza; shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Jorida Murati, akuza; vjedhje duke shpërdoruar detyrën, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Arrest shtëpie
Senad Halluni, shef shërbimesh te materniteti pranë Spitalit Rajonal në Shkodër. Akuza; shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim.
Florine Hoxha, kryeinfermiere pranë repartit obstetrik në maternitet Shkodër. Akuza; shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim.
Mira Nikaj, përgjegjëse finance në Spitalin Rajonal Shkodër. Akuza; shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim.

Në kërkim
Sirjan Alija akuza; ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrajnë funksione publike, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.