TIRANË- Dy shoferë janë gjobitur pasi janë kapur duke bërë gara me njëri-tjetrin në Tiranë. Kanë qenë qytetarët ato të cilët kanë njoftuar policinë, të cilët më pas bënë të mundur kapjen dhe ndëshkimin e tyre. Për njërin prej shoferëve nuk ishte hera e parë që kapej duke bërë gara shpejtësie.
“Falë telefonatave të qytetarëve, rreth orës 21:30, shërbimet e Policisë Rrugore të kryeqytetit, pasi janë njoftuar se dy motomjete me fuqi motorike të lartë ishin duke bërë gara shpejtësie me njëri-tjetrin dhe manovra të rrezikshme në rrugë, janë vënë në ndjekje të tyre. Të dy drejtuesit e motomjeteve janë ndaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe janë proceduar me masa administrative sipas ndryshimeve të Kodit Rrugor, përkatësisht njëri me 40.000 lekë të rinj, pasi kishte gjoba progresive dhe tjetri me 20.000 lekë të rinj, pasi nuk kishte masa të tjera administrative në historik”, ka njoftuar policia.















