Betohet Binaj, anëtari i 5 i Gjykatës Kushtetuese! KED i çon nesër Presidentit emrat për vakancën

22 Dhjetor 2020, 20:28 | Përditesimi: 22 Dhjetor 2020, 20:28

Është betuar sot Altin Binaj, anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese, i cili u zgjodh nga Kuvendi seancën e së enjtes së kaluar. Me betimin në Presidencë Binaj merr kështu zyrtarisht detyrën e gjyqtarit në Kushtetuese. Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Avokatja e Popullit etj. Marrja zyrtarisht e detyrës nga Binaj u përshëndet edhe nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, të cilët thanë se bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese deri më 31 dhjetor 2020 është brenda mundësive.

Ndërkohë që sot pasdite Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo dhe ditën e nesërme i dërgon listën përfundimtare të renditjes Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Po nesër KED vendos edhe për Zhaklina Peton, e cila u rikthye në garën për Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë votoi në seancën e 17 dhjetorit me 96 vota pro, Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë! Me votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese u bë me 5 anëtarë, bashkë me Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.

Ndërkohë që ditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe të diskutojë dhe më pas të dërgojë emrat në Presidencë për plotësimin e vakancës së gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një njoftimi dje KED bëri me dije se do të intervistohen kandidatët Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo. Me këtë zhvillim bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese brenda shihet si një arritje shumë e mundshme nëse Presidenti miraton një prej kandidatëve që i shkojnë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Kujtojmë se vendimarrja në Gjykatën Kushtetuese bëhet me një kuorum prej 6 anëtarësh

Kushtetuesja duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale

b.ha./Shqiptarja.com