Boçi për Report Tv: Më kërcënoi me jetë kryepolici i historisë së 'Babales'

2 Prill 2019, 18:45 | Përditesimi i fundit: 2019-04-02 20:29:43

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi është shoqëruar nga policia e Elbasanit, pasi së bashku me disa persona të tjerë tentuan që ti bllokojnë rrugën kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në fshatin Linas të Mollasit.  Në një prononcim për Report Tv, ish-deputeti i PD-së thotë se është kërcënuar me jetë nga ish-drejtori i Policisë së Fierit, Albert Nushi, aktualisht nëndrejtor në Policinë e Elbasanit. 

Albert Nushi në kohën kur ishte drejtor i Policisë së Fierit, u përfshi në përgjimet e dosjes "Babale 2", pasi Fredi Alizoti që pretendon se ka bërë zërin e vëllait të ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka pasur komunikime telefonike me drejtorin, Albert Nushi.

"Ishte një përplasje fizike me ish-drejtorin e Fierit, atë që paguante Fredi Alizotin, që ka dy akuza të rëndë në kurriz të tij dhe na e kanë sjellë për të pastruar në Elbasan. Ishim në bordurën e urës për protestën tonë. Protesta nuk kishte nisur.

Me atë brutalitetin e tij, na ka kërcënuar me jetë, më ka kërcënuar mua. Nuk është gjë e mirë që e them LIVE, por e vërteta është e vërtetë. Këto janë ato ish-drejtorët që e kap për veshi Fred Alizotin në përgjim dhe bën cubin me qytetarët me ne.

Këta janë ata maskarenjtë që tentojnë që të mbyllin gojën dhe të godasin qytetarët. Protesta nuk kishte nisur, por prisnin kalimin e 'kortezhit' të Ramës, se ashtu është ai kur vjen në zonat tona. Këta nuk kursejnë asgjë.

Policia merr urdhra politikë, paguhet nga krimi. Kjo ishte shprehje proteste sipas të gjitha standardeve. 13 Prilli po vjen, protesta do të jetë më e fortë, dhe përgjigjen do ta marrë Rama, Fred Nushi dhe të tjerët" deklaroi ai për Report Tv.

Ndërkohë që sot është proceduar në gjendje të lirë nga policia edhe kryetari i degës së PD-së në Librazhd, Bujar Vreto së bashku me pesë simpatizantë demokratë, pasi gjithashtu tentuan ti bllokojnë rrugën Ramës.

    No videos found.