Bojkot para derbit me Tiranën? Rama: Partizani klubi më i rregullt me pagat! Shehi: Tre pikët tonat

12 Maj 2021, 14:16

Supersfida e javës së 33 të Superligës që luhet të enjten është padiskutim derbi Partizani-Tirana, që luhet në Air Albania. Të kuqtë që duhet të fitojnë patjetër për titullin shprehen se presioni është te kundërshtarët.

‘Presioni është më i madh te kundërshtari sepse në këtë edicion kemi qenë dy herë fitues dhe një ndeshja ka përfunduar në barazim. Gjithsesi derbet ndoshta nuk lidhen me njëri tjetrin, presioni mund të jetë më i shtuar te Tirana për të marrë rezultatin, por në këto momente që jemi pritshmëria, motivimi nga ekipi jonë do jetë maksimal. Kjo përveçse është një derbi luhet edhe në momentet e fundit të kampionatit ku rivaliteti është maksimal,’-u shpreh Daja.

Lidhur me lajmin se futbollistët kanë bërë bojkot para derbit për pagat drejtori i Partizanit Olsi Rama sqaron:

“Mjafton të shikohet rregullsia e pagesave të Partizanit te tatimet. Jemi klubi që përveçse paguajmë më shumë se të gjithë, por se të gjithë, jemi edhe më të rregulltit në pagesat e lojtarëve.”

Ndërkohë në kampin kundërshtar, atë të Tiranës, mendojnë se fitorja do jetë e tyre.

“Unë them që skuadra ime është në moment të mirë. Është e qetë dhe e pret derbin me shumë besimin për të arrit atë që duhet, tre pikët,”-deklaroi Orges Shehi, trajneri i Tiranës. 

Sakaq Teuta e vendit të parë përballet në Kamëz me Kastriotin, që është buzë greminës.

“Do të jetë një lojë e fortë, një lojë e luftuar, por ne jemi të qartë për objektivin tonë dhe do shkojmë për të fituar. Ne e njohim mjaft mirë njëri tjetrin, kemi luajtur tre herë kundër tyre. Do shohim shumë pak ato, por do përqendrohemi te loja jonë,”-u shpreh Edi Martini, trajneri i Teutës.

Përballjet e tjera të javës së 33 të Superligës janë Apolonia-Kukësi, Bylis-Vllaznia dhe Laçi-Skënderbeu.