Superliga shqiptare e futbollit është në raundin e tretë. Trajneri i ri i Tiranës, Roberto Bordin doli para medieve për të folur para ndeshjes kundër Flamurtarit, e cila luhet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin 'Selman Stërmasi'.
Italiani vetëm disa ditë më parë zëvendësoi Vangjel Milen si trajner i Tiranës, teksa në fjalën e parë ka deklaruar se futbollistëve ua ka bërë të qartë se çfarë fanelle mbajnë veshur. Bordin foli edhe për problemet që ka gjetur në prapavijë.
“Faleminderit për urimet, e kemi pranuar me kënaqësi këtë sfidë të rëndësishme pasi Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Sigurisht më ka bindur stafi drejtues, duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv dhe Grenti, e nuk mora shumë kohë për ta pranuar këtë sfidë të rëndësishme. Sigurisht objektivi i klubit dhe i imi është që të arrijmë lart, janë edhe shumë ndeshje në dispozicion, është dhe koha e mjaftueshme për të njohur lojtarët duke pasur parasysh që ka pasur shumë lëvizje.
















