Braçe kritikon qeverinë: Ministrat nuk i kemi gjetur në punë, të hapin krahun

27 Tetor 2021, 13:49

Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar qeverinë në Komisionin e Ekonomisë ku tha se i ka rastisur disa herë që të shkojë në ministri dhe nuk i ka gjetur ministrat në punës. Ai tha se kush nuk do të punojë le të hap krahun, ndërsa tha se gjysma e administratës publike në zgjedhjet e 25 prillit nuk ka votuar fare Partinë Socialiste.

“Do ta them troç: Nga analiza që unë bëj po ju them unë që më shumë se gjysma e administratës publike nuk ka votuar fare për Partinë Socialiste. Fare, zero. Në nivel qendror dhe vendor po të doni. Aty është zonja (i drejtohet Spiropalit), sa herë kemi vajtur ne nëpër Ministri, tani se nuk nxjerr ndonjë sekret të madh, dhe nuk kemi gjet ministrat në punë. Është kështu? Ore kemi vajtur për të kontrolluar marrjen e përgjigjes. Institucion me institucion. U detyruan të vendosin tabela për të kontrolluar fluksin e ankesave dhe përgjigjet që jepeshin. Tabela, ku gjithsecili vihej para tabelës dhe i thuhej pse s’ka marrë përgjigje”, tha Braçe.

Në lidhje me krijimin e agjencisë për Bashkëqeverisje, Braçe tha se nuk kanë pse krijohen agjenci kot dhe të shpenzohen para kot sepse nuk funksionojnë institucionet. Kush nuk bën punë le të hap krahur, por mungon vullneti për të larguara ata që nuk i shërbejnë qytetarëve.

“Që ne të kemi vështirësi në funksionimin e institucioneve dhe për këtë të ndërtojmë instrumente të vënë në lëvizje institucionet, kjo më duket para e shpenzuar kot. Të jemi të qartë. Nëse nuk bëjmë dot institucionet të funksionojnë, të hapin krahun të gjithë, nga i pari te i fundit.Nëse ka agjenci që nuk i përgjigjen qytetarit për 1001 arsye dhe një nga këto është korrupsioni, në hipoteka, në tatime, në inspektime, të hapin krahun të largohen. Ligji i përcakton rastet, por mungon vullneti për të larguar nga detyra atë që nuk shërben”, tha Braçe.

  •