Bujtinat turistike në Belsh

24 Prill 2021, 14:38

84 liqenet e Dumresë dhe bujtinat turistike të Belshit. Ky është trendi i emisionit Veri Jug ne ditën e dytë të muajit maj. Një udhëtim fantastik në trevën e lashtë të Dumresë, ku jetuan prej mijra vjetësh fisi ilir i Parthinëve, arbërit dhe sot pasardhësit e tyre modernë. Personazh i reportazhit është Rigers Plaka, specialist i turizmit në Bashkinë e Belshit dhe kineast që i ka kushtuar Belshit disa dokumentarë filmikë. Ndalesë në liqenin e Marinës, aty ku po ngrihet një kamping me 20 vila prej druri, gati të mikpresin turistë vendas dhe të huaj në sezonin e ri turistik që pritet të fillojë pas pandemisë coronavirus covid 19. Më pas, udhëtim drejt fshatit Seferan, fshati ku është zbuluar shtatorja e perëndeshës Afërdita dhe ku sot mbajnë hapur dyert për turistët, në të katër stinët e vitit, dy bujtina me zhvillim agriturizmin. Ndiqni reportazhin “Bujtinat turistike në Belsh” realizuar nga moderatori i emisioneve Veri Jug, gazetari Agim Pipa.