‘Ciceron’, aktivitetet e kulturës që mund të ndiqni sot

4 Janar 2023, 10:37

Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni gjatë ditës.

 

1.Me 65 punime në grafikë e pikturë, të realizuara në tri periudha jetësore, ekspozita retrospektivë e artistit Abaz Hado “65 vjet - Një jetë në Art”  pret vizitorët në Galerinë e Artit Tiranë.

2.Me 45 riprodhime të tablove të përzgjedhura, vijon të jetë e hapur në Muzeun Historik ekspozita “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autorëve evropianë të shekullit XIX”.

3.Mbi  të drejtën e lëvizjes, qëndrimit e rikthimit brenda kufijve të çdo shteti, ekspozita "Intervistë vize", me video art, të artistëve si Vangjush Vellahu e Stefano Romano, qëndron e hapur  deri  7 janar në Qendrën Kulturore “Tulla”.

4.Ekspozita "Gjendje" e piktorit Fatmir Tufina qëndron e hapur sot dhe nesër në galerinë "Fab". E konceptuar në tri pjesë, 33 vepra sjellin në vaj, laps,  akrilik e teknikë të përzier piktura nga "Natyra", "Atelier" dhe "Bota e kafshëve".

5.E frymëzuar nga arti i fotografisë së Robert Frank,  ekspozita "Amerikanët" e artistit Fate Velaj pret vizitorët në COD në Kryeministri deri në 31 janar.

6.Me punime të realizuara midis viteve 2015-2022, ku shtron pyetje ekzistenciale, duke përfshirë edhe aspekte personale, artistja Blerina Muça mban deri në 30 janar në galerinë "Zeta" ekspozitën “Diçka nuk shkon”.

7.Vijon të jetë e hapur deri në 20 janar  në hapësirën e “Harabel” ekspozita fotografike, “Lartësi mbidetare- Rrënjët italiane", që sjell imazhe nga alpinizmi e ndryshimet klimatike në botë. Në të, kultura malore shqiptare është fotografuar nga Fation Plaku.

8.Vijon deri në 22 janar në Galerinë e Arteve në Shkodër edicioni i 16-të i Ekspozitës Kombëtare Salloni i Vjeshtës “E kuqja” me kuratorë Oltsen Gripshin dhe Naim Spahiun.