‘Ciceron’, aktivitetet e kulturës që mund të ndiqni sot

21 Dhjetor 2022, 13:10 | Përditesimi i fundit: 2022-12-21 14:29:39

Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni gjatë ditës.

Prezantohet sot në orën 11.00 në Teatrin e Operas kalendari artistik i këtij institucioni për vitin 2023.

Bazuar në ngjarje reale, duke sjellë kohën e persekutimeve të klerikëve e besimtarëve, vjen sot në orën 19.00 në skenën e Teatrit Eksperimental premiera “Gjaku i martirëve të kombit” me regji të Bajram Torbës e një kast të përzgjedhur aktorësh.

Mbahet sot në orën 18.00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë një koncert instrumental nga Pjetër Guralumi dhe Shkëlzen Baftiari.

Çelet sot në orën 18.00 në galerinë “FAB” ekspozita “Gjendje” e piktorit Fatmir Tufina,  që do të qëndrojë e hapur deri në 31 dhjetor.

Me emrat më të mirë të artit bashkëkohor vendas, vijon të jetë e hapur në Galerinë e Artit Tiranë, ekspozita "Muri".

Pret vizitorët  në Qendrën për Hapje dhe Dialog në kryeministri ekspozita  “Amerikanët” e Fate Velaj, e çelur në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Artisti e gjen frymëzimin  nga arti i fotografisë së Robert Frank.

Shfaqet sot në orën 13.30 dokumentari “Kol Idromeno”, ku është hulumtuar mbi Shkodrën e  figurën e piktiorit si artist multidimensional.

Mbahet sot dhe nesër në orën 18.00 në teatrin “Migjeni” premiera “Takimi i parë” me regji të Ina Morinajt.

Renis Gjoka  dhe bendi i tij mbajnë sot në orën 19.00 në sheshin para Bashkisë Shkodër një koncert.