DASH çmim Dvoranit si kampion kundër korrupsionit, Meta sulm Reformës në Drejtësi: S'është e suksesshme! Pas 25 prillit, Kuvendi 'do kthehet në shina'

27 Shkurt 2021, 16:05

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka vijuar sulmet ndaj Reformës në Drejtësi. Në ndryshim nga ndërkombëtarët, të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht sipas së cilëve po jep frytet e saj, për kreun e shtetit kjo Reformë nuk ka qenë aspak e suksesshme. Ai ndalet në ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit 'Nënë Tereza' me 13 vjet, të cilin e cilëson si një aferë e pastër korruptive, e që sipas tij, kjo nuk do të ndodhte nëse kjo Reformë do të funksiononte vërtetë. Një reagim i tillë vjen vetëm pak ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) vlerësoi me çmim, ish- kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED) Ardian Dvoranin, me të cilin Meta ka pasur përplasje pasi ai ishte i vetmi gjykatës që u shpreh kundër tij në procesin e skandalit të video-përgjimit të Dritan Priftit. Përplasjet me Dvoranin vijuan edhe për procedurën e emërimeve në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).

"Nuk ka asnjë diskutim që nëse do kishim pasur vërtetë një Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do të kishin guxuar, ministrat, qeveria , por edhe vetë Kuvendi të bënte këto gjëra, dhe që ju ftoj t'i lexoni,  ashtu si kurse nuk do kishin bërë edhe afera të tjera, megjithatë të jeni të sigurt pas 25 prillit do të ndiqet me rigorozitet të plotë. Çdo dëm që i është bërë interesit publik, interesit të qytetarëve, çdo shkelje, çdo falsifikim që është bërë prandaj ftova edhe forcat politike që garojnë në zgjedhje ta lexojnë me vëmendje", tha Meta.