Debate gjatë mbledhjes/ KAS s’pranon prova të reja për Durrësin, tërhiqet të marrë vendim për kërkesën për pavlefshmëri zgjedhjesh

25 Maj 2021, 19:03

KAS nuk ka pranuar kërkesën e PD-së për prova të reja sa i përket qarkut të Durrësit. KAS, dëgjoi me vëmendje të gjitha pretendimet e ngritura nga PD dhe LSI, por vendosi që të mos marrë prova shtesë. Kësisoj KAS është tërhequr për të marrë vendim për kërkesën për të shpallur zgjedhjet të pavlefshme.

“Me shumicë vendos të konfirmojë të njëjtin qëndrim se KAS nuk pranon që të drejtohet institucioneve për 19 kërkesat për prova të kërkuara nga PD dhe ky është një vendim i ndërmjetëm që duhet të arsyetohet bashkë me vendimin përfundimtar. Kërkesa për pavlefshmëri, kas do tërhiqet për vendim për një vendim të ndërmjetëm”, tha ai.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PD-së në KAS, Marash Logu shprehet se 34 persona mund të kenë votuar 71 herë sipas të dhënave PEI në këtë qark.

“4 persona me të njëjtin mjet identifikimi kanë votuar në 8 qendra votimi të ndryshme, 34 persona janë përdorur për identifikimin e 71 zgjedhësve. 34 persona mund të kenë votuar 71 herë, është një provë që kemi pasur mundësi ta diskutojmë edhe me qarqet e tjera, të dhënat do të përdoren nga ana jonë, po ajo që ka rëndësi është informacioni që na është dhënë në dispozicion. Pyetja ime është që a është kryer verifikimi nëse ka pasur ndërprerje dhe ka vijuar me votim manual”, tha Logu.

Relatori i KAS, Koli Bele është shprehur se në Durrës ka pasur mosfunksionim të pajisjes PEI në 28 raste.

“Nga një verifikim i bërë na rezulton që në Durrës ka pasur mosfunksionim të pajisjes PEI në 28 raste”, tha Bele.