Një helikopter “Cougar”, me 3 ushtarë të forcave speciale të cilët qëndronin të lidhur në një litar, ndërkohë që ishte vendosur edhe flamuri shqiptar dhe ai amerikan, fluturoi mbi sheshin Nënë Tereza. Ndërsa nga korpusi i universitetit 'Nënë Tereza' u krye edhe një tjetër ushtrim, ku ushtarët shqiptarët zbritën me litarë duke qëlluar më plumba manovër.
Kështu ka vijuar stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 21” në vendin tonë, këtë të diel e cila u cilësua si “Dita e hapur” e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të stërvitjes së përbashkët me trupat amerikane.
Stërvitja ‘Defender 21’ bëri bashkë në sheshin 'Nënë Tereza', ambasadoren amerikane Yuri Kim, kryeministrin e vendit Edi Ramën dhe presidentin Ilir Meta. I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Gjatë fjalës së saj diplomantja amerikane Yuri Kim nënvizoi se marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA do të jetë mbi çdo gjë dhe se Amerika do të jetë aleate përgjithmonë me Shqipërinë. Kim theksoi se ‘Defender 21’ hapi një rrugë të vërtetë për një bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe se Amerika ka një aleat të vërtetë si Shqipëria.
Ndërkohë në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama vlerësoi ambasadoren Yuri Kim, ku tha se i ka dhënë një tjetër cilësi marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas Ramës, misioni tjetër i përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA-së do të jetë rritja e kapaciteteve njerëzore njerëzore të Forcave të Armatosura, duke i bërë thirrje të rinjve që ta shohin atë si një mundësi të artë për formimin dhe jetën e tyre.
Sakaq presidenti Ilir Meta në fjalën e tij ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-së për forcat tona të armatosur. Meta nënvizoi se Forcat e Armatosura kanë treguar profesionalizëm.
Sot do të ketë surpriza në tokë dhe ajër në sheshin “Nënë Tereza” për të gjithë qytetarët të cilët kanë dëshira që ta ndjekin nga afër. “Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore.
Me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar, po demonstrojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë. Në këtë stërvitje janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.















