Deklarata e fortë e Petro Koçit: Në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike, protagonistë të drogës po fitojnë tendera

16 Korrik 2021, 14:36 | Përditesimi i fundit: 2021-07-16 14:20:02

Në një kohë kur operacionet e SPAK janë kryefjalë e ditëve të fundit që ka çuar në pranga zyrtarë dhe ish- zyrtarë të lartë në vend, deputeti Petro Koçi i bën thirrje këtij institucioni që të kalojë dhe nga Fieri pasi sipas tij krimi po fiton tendera publikë. Deklarata e tij e fortë vijon edhe më tej duke thënë se duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike duke përmendur edhe skemën që përdorin. “Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, thotë Koçi.