Vijon të jetë kritike situata nga zjarri në rrethinat e qytetit të Delvinës.
Ndërsa Report Tv ka siguruar pamje nga ‘mbretëria’ e flakëve që përpin gjithçka dhe e shkrumbon në pak çaste, mësohet se vatra po zgjerohet në disa drejtime, po i afrohet puseve të naftës, dy lagjeve dhe spitalit.
Autoritetet qendrore dhe vendore kanë marrë masat për të parandaluar ndonjë tragjedi, teksa banorët dëshmojnë se situata është apokaliptike.
“Po digjen shtëpi, ka panik dhe njerëzit po dalin me mbathje rrugëve, situatë apokaliptike”, dëshmon një prej tyre.
Gazetari Limos Didani informon se në qytet dëgjohen sirena ambulancash dhe bori makinash.
Një tjetër banor u shpreh i shqetësuar:
“Na dridhet trupi nga frika, gjendja është jashtëzakonisht keq, s’mund ta imagjinoni. Kërkojmë ndihmë, çfarë do bëjmë me 2 zjarrfikëse në këtë katastrofë. Po digjet Xhermallaha dhe Vllahati! Jemi larguar nga banesat, nuk e dimë çfarë bëhet më”.



















