‘Diktatura e FSHF-së mori një sinjal të pastër’, Rudi Vata për anulimin e zgjedhjeve: Do tentojnë të korruptojnë zyrtarët e UEFA-s

18 Shkurt 2022, 13:35 | Përditesimi i fundit: 2022-02-18 15:42:24

Vendimi i gjykatës së Tiranës për të anuluar zgjedhjet e 2 marsit për presidentin e ri të FSHF-së, si pasojë e shqyrtimeve të manipulimeve të bërë në zgjedhjet e shoqatave të futbollit nga federata, është një sinjal shprese për futbollin shqiptar sipas Rudi Vatës. Në ‘Report Tv’ ish-futbollisti dhe kapiteni i kombëtares la të kuptohet se Armand Duka ka vrarë ëndrrën e shumë të rinjve për interesa personale.

“Për herë të parë është marrë një vendim shumë i rëndësishëm, me vlera, që me të vërtetë mund të ndryshojë edhe përceptimin se si kanë funksionuar gjërat. Dërgon sinjale direkte që në Shqipëri po fillon të funskionë ligji dhe nuk ka njerëz absolut që mund të tregtojë vendin sipas epshave të tyre. Vendi jonë ka vuajtur prej këtyre njerëzve. Kanë qenë njerëz të papërgjegjshëm, kanë patur qëllime personale, nepotizma dhe për këtë arsye shumë djemve dhe vajzave të reja i është prerë një ëndërr në mes për shkak të sistemit,”-deklaroi Veta.