Dje u shënua viktima e parë, sot riaktivizohet sërish zjarri në Lunxhëri, ndërhyn helikopteri dhe shuan të gjitha vatrat në Gjirokastër

4 Gusht 2021, 09:30 | Përditesimi: 4 Gusht 2021, 13:31

Një vatër e rrezikshme zjarri në Lunxhëri të Gjirokastrës është riaktivuar sërish sot në mëngjes, por është shuar përfundimisht shumë shpejt pas ndërhyrjes me helikopter.

Forcat e PMNZSH Gjirokastër të mbështetura nga 100 forca ushtarake kanë qenë në terren për të shuar këtë vatër mes fshatrave Qestorat dhe Tranoshishtë.

Ne oren 03:30 të mesnatës janë shuar flakët në Kalanë e Shën Triadës ku gjenden antenat e telefonave celulare. Vatra në Lunxhëri është e vetmja e riaktivizuar sot në Gjirokastër.

Dje zjarri rrezikoi seriozisht banesat e 3 fshatrave në Lunxheri, konkretisht fshatrat Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo, ku u dha urdhër evakuimi për banorët në mënyrë që të mos u rrezikohej jeta, por fatkeqësisht u shënua edhe viktima e parë nga zjarret.

Në përpjekje për të shuar zjarrin që i kishte shkuar pranë banesës së tij, ka humbur jetën Andrea Haxhiaj, 64 vjeç, në fshatin Asim Zeneli. E plagosur mbeti edhe bashkëshortja e tij, e cila pësoi djegie dhe asfiksim në nga tymi. Ajo është dërguar në Tiranë për kurim më të specializuar. Gjatë luftës me flakët pësoi gjendje asfiksimi edhe ushtari i Forcave të Armatosura, Edlir Goxhaj, i cili ndodhet në spital jashtë rreziku për jetën.

r.k./Shqiptarja.com