Dosja e abuzimeve me fondet e BE-së në SASPAC/ Lidhjet e Beqajt me Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla

4 Korrik, 10:40

Dosja e abuzimeve me fondet e BE-së gjatë kohës që ai ishte drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) po hetohet nga prokurorja  Elida Kaçkini. 

Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla të cilët janë arrestuar sot janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Beqajt. 

Hetimet kanë nisur në shtator 2023, ndërsa procedimi ishte regjistruar në emër të Ermal Kurtulajt, koordinator i një projekti me fondet e BE-së, ndërkohë që dyshohet se i përfshirë është edhe Ilir Beqaj, ish drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Më datë 29 dhjetor 2023, me urdhër të SPAK u ushtrua kontroll në banesën e Ilir Beqajt.

Beqaj dhe Kurtulaj, sipas vendimit që Shqiptarja.com kishte siguruar për urdhrin e kontrollit të banesave në dhjetor, akuzohen se lëshonin faturave fiktive nga SASPAC për kompani të ndryshme, për përfitues fundor pikërisht këta ta fundit.( Lexo ketu:Zbardhet dosja/ Lidhjet e Beqajt me Ermal Kurtulën! Nga projekti me fondet e BE, fatura fiktive drejt bizneseve! Paratë nga projekti EUSAIR shkonin te ‘Gzona’)

Tetë episodet që SPAK përmend vetëm për Kurtulajn lidhen me pagesa që shkojnë gjithsej disa dhjetëra mijëra euro, ku veçohen një faturë 35.200 euro me “Nine Servicec INT” më 8 gusht, apo dy të tjera me nga rreth 1.7 mln lekë të reja më 20 nëntor po nga kjo kompani. Gjithashtu ‘Nine Services’ ka lëshuar edhe disa fatura të tjera. Fatura fiktive sipas SPAK janë lëshuar edhe nga shoqata si ‘Good Health’ dhe FIAA.

SPAK thotë se Ermal Kurtulaj kishte njohje të hershme me Beqajn, që në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+.

Më datë 16 gusht 2023 drejt projektit EUSAIR është lëshuar një faturë tatimore për ‘Landëays International’ me vlerë 149. 809 euro. Në të njëjtën ditë restoranti ‘Gzona’ në Tiranë ka lëshuar drejt ‘Landëays International’ një faturë shërbim kateringu me vlerë rreth 40 mijë euro.

Prokuroria e Posaccme dyshon se Restoranti Gzona është përdorur që biznese të cilat merrnin para nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian dhe që menaxhohet nga SASPAC, kthenin në formën e ryshfetit një pjesë të parave.

SPAK thotë se Kurtulaj dhe Beqaj kishin lidhje me restorantin Gzona. Ky restorant me emrin në QKB ‘Albanian food and hospitality’ ishte krijuar nga bashkëshortja e Beqajt dhe që në fund i ishte shitur Eduard Currajt i cili rezulton edhe pronar i kompanive ‘Curri Group’, ‘Curri SHPK’, ‘Delta Holding’, që nga ana e saj ka në pronësi kompani si ‘Delta Pharma’, Avicena apo farmacitë ‘Ditë e Natë’ që u kontrolluan të enjten.

Nga përgjimet e SPAK dyshon se administratori de fakto i restorant “Gzona” ishte pikërisht Ermal Kurtulaj, vartësi i Ilir Beqajt në SASPAC.