DOSJA e skemave piramidale online/ ‘Investim njëherë, përfitime të përjetshme’, reklamimet në lokalin në Lushnjë dhe 1 mijë euro për tu futur në rrjetin e XUEX

16 Shtator 2025, 12:32 | Përditesimi: 16 Shtator 2025, 15:29

Qindra qytetarë shqiptarë kanë re pre e skemave piramidale online që janë përhapur edhe në vendin tonë përmes platformës XUEX, sidomos në Lushnjë apo Divjakë. Pas denoncimeve të shumta në rrejt, Policia u vu në lëvizje dhe hetimet çuan në goditjen e një grupi me bazë në qarkun e Fierit, ku 6 persona u vunë në pranga ndërsa një çift bashkëshortësh u shpall në kërkim.

Por si funksiononte grupi? Edhe pse në fakt një skemë piramidale online, anëtarët e grupit kishin zgjedhur të mos “fshiheshin”, por ata reklamonin hapur platformën XEUX me qëllim që të fusnin në kurth qytetarët. Në dosjen hetimore të siguruar nga Shqiptarja.com tregohet se reklamat për këtë platformë bëheshin në një lokal në hyrje të qytetit të Lushnjës me pankarta. Bëhet fjalë për një lokal në rrugën "Shëtitorja e Palmave", bar-restorant "La Bonta". Në vitrinën e këtij lokali ishte ngjitur dy pankarta që reklamonin platformën "Xuex". Në njërën reklame është postuar "EG Group Investment XUEX " Investim një here = Përfitime të Përjetshme".

Po ashtu edhe tek reklama tjetër shkruhej "EG Group Investment XUEX "Projekt investimi afatgjatë, Punë ekipore, Sinjale tregtare, Shumë shpërblime". “Në ambientin e përshkruar sipas të dhënave bëhen investime në platformën "Xuex", e cila dyshohet se është një skemë mashtruese piramidale”, thuhet në dosje ndërsa shpjegohet edhe se si grupi u godit pas ndërhyrjes së agjentëve të infiltruar, me veprime simuluese.

I.M/Shqiptarja.com