Dosja kriminale e Rrajës dhe celulës së 'Xhindeve' peng të analizës së ADN-së! Laboratori s’ka reagentë mjekësore

15 Nëntor 2019, 17:33

TIRANE - Laboratori i Policisë Shkencore vuan nga mungesa e reagentëve mjekësorë që shërbejnë për krijimin e reaksioneve, nga ku më pas dalin rezultatet e analizës së ADN-së. Shumë kërkesa të bërë nga prokuroria për kryerjen e ekspertizës ligjorë të AND-së nuk kanë marrë përgjigje, pikërisht për faktin se drejtuesit e laboratorit të Policisë Shkencore, vuajnë mungesën e reagentëve. Dosjet hetimore shumë të rëndësishme si ajo e Redjan Rrajës por edhe ajo e grabitësve të kasafortave në qytetin e Krujës, njoshur si celula e "xhindeve të natës", kanë mbetur pa një tablo të qartë për sa i përket plotësimit të tyre me përgjigjet e analizave të ADN-së, duke sjellë zvarritjen e hetimeve në këtë drejtim. Vonesën për kryerjen e këtyre ekspertizave për këto dosje kaq shumë të rëndësishme për prokurorinë, drejtuesit e laboratorit të policisë shkencore e argumentojnë me mungesën e reagentëve mjekësorë, që shërbejnë për nxjerrjen e rezultatit të analizës së AND.

Analizimi i strukturës gjenetike të një individi u jep mundësi prokurorëve që nëpërmjet një prove shkencore, të arrijnë të zbardhin autorësinë e personave të arrestuar në vrasje dhe grabitje. Më konkretisht Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka marrë një përgjigje të analizës së ADN-së, nëse pështyma e sekuestruar në kapuçat e gjetur në makinën tip Benz, të personave që qëlluan për vdekje Andi Malokun dhe plagosën prokurorin Arjan Ndoja dhe Landi Muharremin, i përket të arrestuarit Redjan Rraja apo jo.

Një burim pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda tha për “Shqiptarja.com” se nëse kjo situatë do të zgjasë atëherë do kërkojnë që analiza e ADN-së të kryhet në një laborator të policive partnere.

Nga ana tjetër, nuk dihet nëse pesë personat e arrestuar në Krujë për grabitjen e kasafortave janë të përfshirë në disa vjedhje të tjera, ku prokuroria ka sekuestruar dhe njolla gjaku. Kjo pasi këto njolla gjaku nuk janë analizuar ende nga mjekët e laboratorit të policisë, për shkak të mungesës së reagentëve mjekësorë. Pikërisht mungesa e këtyre reagentëve vijon të mbajë bllokuar dhjetëra çështje penale që janë të regjistruara në Durrës, Krimet e Rënda, Krujë, Shkodër, Fier dhe Vlorë.

Për t'i dhënë njëherë e mirë fund kësaj situate, duhet urgjentisht zhvillimi i një tenderi nga ana e Policisë Shqiptare,ku të pajiset me të gjithë logjistikën e nevojshme të reagentëve mjekësore por edhe me aksesorë të tjerë që shërbejnë për kryerjen e analizave mjekësore