DOSJA ‘Plumbi i artë’/ ‘Fillimisht të dhunohet’, avokati Bengasi jepte 120 mijë euro për të 'hequr qafe' ish gruan e tij! Dyshonte se e tradhtoi me shokun e ngushtë

20 Maj 2022, 14:53

120 mijë euro jepte avokati Alban Bengasi për të eliminuar ish-gruan e tij, vetëm se mendonte se e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë. Dëshminë tronditëse e ka dhënë për SPAK Nuredin Dumani. Në dosjen e siguruar nga Report Tv, Dumani rrëfen se fillimisht Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta.

I penduari i drejtësi, Dumani thotë se nuk e pranoi këtë porosi, sepse nuk i pëlqente të rrihte gra. Ndaj për këtë çështje u 'rekrutua' Eljo Bitrit dhe një djal tjetër për të cilin Dumani thotë se nuk i kujtohet kush ishte. Pasi e kishin ndjekur për ditë me radhë Blerta Bengasi (Ruçin), Eljo Bitri e qëllon atë me grushte në fytyrë deri sa i del gjak. Pas kryerjes së porosisë Dumani takon avokatin për t’i marrë paratë, por ky i fundit ishte i pakënaqur pasi ajo nuk kishte thyer as krah dhe as këmbë.

Ndërmjetës për këtë ngjarje ishte Festim Qoli, i arrestuar me urdhër të SPAK, për të cilin Dumani deklaron se për rrahjen e gruas që jetonte te Kodra e Diellit në Tiranë, kishte siguruar se po të bënte denoncim mos të shqetësoheshin pasi ai njihte shefin e komisariatit dhe kështu do e mbyllte këtë punë. Sipas dëshmisë së të penduarit, avokati e kishte ndihmuar Festim Qolin, të arrestuar të enjten nga SPAK, që të merrte 500 mijë euro dëmshpërblim nga shteti për prishjen e kompleksit në pronësi të tij nga tërmeti i nëntorit 2019.