Droga në Kukës/ PD kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut të Fushë Arrëzit,vëllai nga qelia: Kapni kokat

22 Maj 2020, 20:39

TIRANE-Report Tv zbardh detaje të reja nga seanca gjyqësore e dosjes 'Shënmëri 2020' që çoi pas hekurave 19 persona, 3 janë në kërkim dhe një oficer i policisë së Kukësit është pezulluar. Mes personave të arrestuar është edhe Arben Tuci, vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit Fran Tuçi. Vëllai i kryebashkiakut së bashku me dy pukjanë të tjerë kanë qenë mjaft agresivë me trupin gjykues që dje dha masat e sigurisë duke kërkuar që policia të gjejë dhe të arrestojë financuesit e vërtetë.

Ata mohuan akuzat dhe duke thënë se kanë punuar vetëm për bukën e gojës. "Do përballemi me cdo mjet e cdo formë, kërkojmë të kapni pronarët e vërtetë, ne jemi keq për bukën e gojës. Jemi punëtorë krahu" thanë ata. Vëllai i kryetarit të bashkisë së Fushë-Arrëzit, është i dënuar më parë për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Report Tv zbardhi sot detaje ekskluzive mbi hetimet (lexo ketu).

Ndërkohë që dega e PD-së në Pukë i kërkoi kryetarit të bashkisë Fushë Arrëz dorëheqjen nga detyra si detyrim moral, pasi vëllai iu arrestua për drogë.  "Partia Demokratike Dega Pukë po ndjek me interes të lartë zhvillimet e ditëve të fundit në qytetin Fushë-Arrëz, ku është arrestuar Albert (Arben) Tuci, vëllai i kryetarit të Bashkisë Fushë -Arrez z.Fran Tuci, me akuzën për kultivim dhe trafik droge.

Ky lajm tronditi mbarë opinionin qytetar të ketij komuniteti edhe më gjerë. Tashmë është e qartë se Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e tyre në institucione të vetmen alternativë që ju afrojnë qytetarëve është lidhja me krimin, trafiqet etj. Rilindja i ka promovuar dhe dhënë pushtet të pakufizuar këtyre individëve me rekorde kriminale, ku sipas raportimit në medja janë raste të përsëritura të aktivitetit të tyre.