EKSKLUZIVE/ Në përgjime me trafikantin, shefi në Kukës rritet në detyrë tek Antidroga! Si u zhduk prova kyçe për financuesin!

Sot ndodhet pas hekurave për “shpërdorim detyre”, por edhe pse ishte zbuluar në përgjime me kreun e dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës, ish-shefi i komisariatit të Kukësit, Arben Kalaja, u rrit në detyrë. Në shkurt të vitit 2020, ai është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtorinë e Antidrogës, për veriun e Shqipërisë. Report Tv mëson detaje ekskluzive nga operacioni i koduar  "Shënmëri 2020" në të cilin u ekzekutuan 19 urdhër-arreste, 3 janë në kërkim dhe një Oficer i Policisë së Kukësit është pezulluar.

Dosja tashmë ka kaluar në SPAK, Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion pas një seance prej orës 10:00 të mëngjesit deri në 19:00 të pasdites të enjten në Gjykatën e Kukësit ku u lanë në fuqi të gjitha urdhër arrestet e të pandehurve.

Teksa kreu i grupit dyshohet të jetë Kreshnik Murataj, mungon prova që mund të vë pas hekurave edhe financuesin e grupit. Bëhet fjalë për dy gjeneratorë të fuqishëm të konstatuar në një parcelë me drogë në shtator 2019 kur u asgjësuan 170 rrënjë kanabisi, në të njëjtat parcela ku prej vitit 2017 policia zbulonte drogë. Edhe pse të fotografuar pranë një pusi për të vaditur parcelat me kanabis, gjeneratorët nuk figuruan asnjëherë si provë materiale në dosje. Sipas burimeve të sigurta dje në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura në Gjykatën e Kukësit, ish-shefi i komisariatit të Kukësit nga 2019-2020, Arben Kalaja ka deklaruar se në vendin e ngjarjes ishte gjeneratori që furnizonte me ujë mbi 1 mijë rrënjë kanabisi, por  “nuk është sekuestruar se ishte i rëndë”. “Nuk kisha me çfarë ta ngrija. Nuk ka qenë detyra ime të marr gjeneratorin. E kam konsultuar me eprorët e mi dhe më thanë të veproj si të dua”, mësohet të jetë shprehur Kalaja.

Është pikërisht ky gjenerator që të çon tek financuesi, dhe prova materiale është prishur! Përmes numrit të shasisë mund të verifikohet se cilës kompani i përket gjeneratori, pra kush është shitësi dhe blerësi i saj. Nga burime konfidenciale Report Tv mëson se në seancën e së enjtes është aluduar nga ana e të arrestuarve për përkatësinë e gjeneratorit, duke e lidhur me një biznesmen të zonës që ushtron aktivitetin në fushën minerare dhe hidroenergjetike. Të njëjtat burime thonë se ekziston një foto e vitit 2019 që fakton prezencën e gjeneratorëve, e cila edhe pse ndër vite nuk është future në dosje, tashmë i është dërguar SPAK-ut për t’u vlerësuar si prova më e fortë që mund të çojë në emrin e financuesit.

Ajo që përbën skandal në gjithë këtë histori është se si një zyrtar policie është ngritur në detyrë edhe pse ka dalë në përgjime duke folur me trafikantë. Në shtator 2019 Arben Kalaja ka dalë në përgjime me Kreshnik Muratajn: "Më dërgo një paketë për drejtorin. Më duhet një paketë për drejtorin”, - ishte kodi që ai përdorte. Duke qenë se është shef komisariati për këto përgjime prokurori i çështjes në atë kohë ka vënë në dijeni edhe SHÇBA-në në Ministrinë e Brendshme. Por në dhjetor 2019 kur dosja u çua në Gjykatën e Kukësit, shefi i komisariatit nuk u mor i pandehur pasi prokuroria nuk e kishte thelluar hetimin. Kështu, Gjykata e kaloi dosjen në SPAK vetëm për 2 anëtarë të bandës, duke përjashtuar nga përgjegjësia penale shefin e komisariatit. Mbi këtë skandal të Gjykatës së Kukësit në atë kohë, edhe Arben Kalaja ka marrë “shpërblim” duke u ngritur në detyrë me një post të rëndësishëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, tek Antidroga, dhe pikërisht për veriun e Shqipërisë, aty ku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke i hapur shtegun trafikantëve të kultivojnë kanabis pa u ngacmuar nga policia.

Por si shkoi drejtuesja e prokurorisë drejt vendimit për të nisur dhe bashkuar në 1 dosjet e ndara ndër vite?

Ishte një informacion i marrë nga policia se ishin hapur gropa për kultivimin e kanabisit në të njëjtat parcela që angazhuan forcat e policisë nën drejtimin e Prokurorisë Kukës në aksionin e gjerë që çoi në arrestimet masive me vendim të gjykatës. Ky grup trafikantësh sapo bëhej gat për të nisur sërish aktivitetin kriminal, me shpresën se do të mund të finalizonin trafikun pa u kapur nga policia, siç kishte ndodhur edhe më herët kur I kishin “krahët e ngrohta”. Dekonspirimi i aksioneve është edhe arsyeja pse itinerari i këtij rrjeti trafiku të drogës nuk është zbuluar. Dyshimet janë se kanabisi trafikohej për në Kosovë dhe në Serbi, mëson ekskluzivisht Report Tv, por provat nuk janë të mjaftueshme, pasi edhe pse janë ndjekur disa herë, kanë arritur të manovrojnë dhe të shpëtojnë, duke I ditur shumë mirë lëvizjet e policisë.

Prej vitit 1998 është hera e parë që në Kukës goditet fenomeni i kanabisit, edhe pse në të gjitha aktet e punës operative të policisë është evidentuar si zonë me risk.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur