'Duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike', Petro Koçi paraqitet në SPAK për të dëshmuar për deklaratat

26 Korrik 2021, 11:05 | Përditesimi i fundit: 2021-07-26 15:22:11

Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të dëshmuar në lidhje me deklaratat e bëra disa ditë më parë në 'Report Tv' se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Kujtojmë se Koçi i bëri deklarata e forta më 16 korrik, fillimisht përmes një postimi në Facebook dhe më pas më të zgjeruara në një intervistë për Report Tv. “Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, tha ish-Zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi 10 ditë më parë.