Durrës, artistja Aishe Stari feston 81 vjetorin në një ceremoni mes kolegëve dhe miqve

23 Maj 2021, 09:44 | Përditesimi: 23 Maj 2021, 09:44

Me rastin e 81-vjetorit të lindjes së “Mjeshtres së Madhe” Aishe Stari, në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” u zhvillua një ceremoni festive me aktorë, miq e kolegë të skenës.

Me këtë rast u promovua dhe botimi i një libri-album i gjithë jetës artistike në vite. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako dhe Prefekti i Qarkut Roland Nasto.

Aishe Stari mbetet padyshim hijeshia e skenës së Estradës dhe Teatrit jo vetëm të Durrësit,  por edhe të gjithë Shqipërisë.

Një nga aktoret më të dashura me një energji të pashtershme ajo kurrë nuk e humbi thjeshtësinë dhe dashurinë për qytetin e saj. Në këtë event të organizuar morën pjesë miqtë, kolegët dhe gjithë admiruesit e saj që janë jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por edhe jashtë saj.

Nëse një artist i kushton jetën skenës sikurse ka bërë mbi 40 vite karrierë artistja Aishe Stari, “Skena e humbet nocionin fizik të kohës” vitet kthehen thjesht në numra.

Aishe Stari lindi më 21 maj të vitit 1940 në qytetin e Durrësit, më pas kreu studimet e larta ne Institutin e Larte te arteve në degën e dramës në vitet 1960-1964. Filloi pune ne Estradën Profesioniste te Durrësit duke u bere një nga aktoret me simpatike te kësaj trupe si dhe ne mbare vendin. Luajti mjaft role në zhanre e lloje të ndryshme të teatrit, të estradës si në komedi, skeçe, monologje, dialogje, pantomima e parodi.

Ndër rrolet dhe shfaqjet që ajo spikati janë si: “Kutia magjike”, 1965, “Fletërrufe”, 1966, “Kalitja” 1967, “Vetjaket” dhe “Zjarr mbi thashethemet”, 1970, “Kush e ka radhën”, 1971, “Rrugë të mbarë shoku Xhemil”, 1975, “Kërkohet një dhëndër” dhe “Komedi muzikore” 1978, “Kujtime te paharruara”, “Shikoje veten në pasqyrë” dhe “Në studion e televizionit” 1979, “Shih e shkruaj”,1984, “Mirmëngjes” 1986, si edhe komedia “Mashtruesi”. Pas viteve ’90 pati një tërheqje të përkohshme dhe u aktivizua më pak.

Sidoqoftë, rivjen në skenë me “Alo Estrada” 1996, “DVD 06” 2006, “Tango te Slavomir Mrozhekut” 2008. Hijeshia skenike, lirshmëria, plasticiteti i lëvizjes, forca imituese, nuri dhe bukuria, dhuntitë për të shëmbëllyer tipa dhe karaktere të larmishme nga shtresat e gjera popullore ishin disa nga cilësitë e shprehura aktoriale te saj.

b.ha./Shqiptarja.com