Durrës/ Dy vëllezërit u qëlluan nga një 'Toyota', njëri u deportua nga Franca për trafik droge

28 Prill 2020, 15:29

DURRËS- Prishja e pazareve të drogës është pista kryesore ky po hetohet për ekzekutimin me 56 plumba të dy vëllezërve, Viktor dhe Besimir (i njohur si Miri) Haxhia një ditë më parë. 24 orë pas atentatit mafioz, policia dhe prokuroria ende s'kanë një autor të dyshuar të këtij krimi në të cilin u ekzekutuan dy vëllezërit, teksa Report Tv ka zbardhur detaje të reja lidhur me këtë ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik ku vendi është në gjendje të fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19. Gazetari Arsen Rusta bën me dije se në vitin 2018, një nga vëllezërit,  Besmir Haxhiaj është deportuar nga Franca në vitin 2018 ku ka qenë person i dyshuar për përfshirje në narkotrafike, dhe pikërisht prishja e pazareve të drogës është pista kryesore ku po hetohet.

Nga analizim i kamerave të sigurisë, është dalluar një automjet Toyota ngjyrë gri, që dyshohet t'i përkiste autorëve. Mjeti është larguar në drejtim të Fushë- Krujës, teksa ndryshe nga sa është parë në atentatet e tjera, nuk është gjendur një makinë e djegur pak metra larg vendit të ngjarjes, tregues i rëndësishëm ky se e gjithë ngjarja ka qenë e mirëmenduar. Nga ekzaminimi vendngjarjes janë gjetur 56 gëzhoja të sekuestruara ndërsa autorët e përfshirë në krim janë tre persona, dy ekzekutorët që kanë përdorur armët automatik kallashnikov dhe një i tretë që ka shërbyer si shofer. Rezulton se hapja e zjarrit është bërë nga pozicion i ndaluar, e për pasojë ky detaj shton dyshimet se autorët dhe viktimat njiheshin me njëri tjetrin. Makina e viktimave nuk ka devijuar nga trajektorja e lëvizjes gjë që vërteton se ka qenë e ndaluar në momentin kur është hapur zjarr. Ndërkohë nga breshëria e kallashnikovit, nuk kanë shpëtuar edhe 2 automjete të parkuara aty pranë, një 'Range Rover' dhe 'C Class' të cilët kanë marrë plumba në xhamin e përparmë, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të tjerë aty pranë, që mund të çonte në një bilanc më tragjik të viktimave.