Durrës, tentuan të shisnin mina me telekomandë 3000 euro secila, arrestohen 3 persona

3 Qershor 2021, 09:23 | Përditesimi i fundit: 2021-06-03 12:46:09

Durrës, tentuan të shisnin disa mina me telekomandë, arrestohen 3 persona

Finalizohet operacioni policor i koduar "Muzeu".

Operacioni i zhvilluar nga  strukturat e DVP Durrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë.

Kapen dhe arrestohen në flagrancë 3 shtetas. 

Sekuestrohen tri mina me telekomandë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve të Paligjshme dhe te Krimeve Kundër Personit në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar "Muzeu". 

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur "Muzeu", në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

- I. A., 47 vjeç, B. Ç., 31 vjeç dhe E. B ., 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.

Këta shtetas u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A.  dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.

Nga hetimet paraprake rezultoi se  këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.