Dy javë pas tërmetit, rinis sot procesi mësimor edhe në zonat më të prekura

9 Dhjetor 2019, 12:59

Dy javë pas tërmetit i 26 nëntorit që la pas 51 viktima, nxënësit dhe studentët sot do t'i rikthehen bankave të shkollës. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka njoftuar se sot do të rinisë procesi mësimor në zonat e prekura nga tërmeti në Tiranë, Durrës, Vorë dhe Kurbin. Ndërsa për sa u përket shkollave të tjera, që janë së paku 30 të tilla, Ministria e Arsimit bën me dije se janë marrë të gjitha masat e duhura për zhvendosjen e nxënësve në shkolla të tjera deri në një moment të dytë kur të krijohen kushtet për të zhvilluar procesin mësimor normalisht edhe në zonat më të prekura nga tërmeti.

Procesi mësimor që u ndërpre për shkak të tërmetit të rënë më 26 nëntor, dhe sot ky proces do të rinisi edhe në dy qarqet më të prekura, atë të Durrësit dhe Tiranës. Ndërkohë të enjten e javës që lamë pas,  rinisi mësimi në qarkun e Lezhës, ndërsa për qarkun e Durrësit, bashkinë Kurbin, Vorë dhe Tiranë, sipas ministrisë së Arsimit, mësimi do të nisë më 9 dhjetor, të hënën e sotme.

Nga ana tjetër Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni me anë të një urdhri të brendshëm njoftoi se procesi mësimor do të fillojë në datë 10 dhjetor. Ai shpjegoi, se vendimi është ndërmarrë pas informacionit nga administrata e UT, mbi sigurinë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor.  Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Politeknikut kanë shtyrë procesin mësimor edhe për javën e ardhshme. Sipas njoftimeve zyrtare të të dy universiteteve procesi mësimor është pezulluar deri më datën 13 dhjetor. Përsa i përket universiteteve, ministrja Shahini u shpreh se ato janë autonome dhe se kanë bërë verifikimet e tyre.