E dhunuan se publikoi videon e Gëzim Paplekajt ku deklaronte se kishte shitur votën, burg për 4 të arrestuarit në Lezhë

4 Maj 2021, 15:49 | Përditesimi: 4 Maj 2021, 15:51

Gjykata e Lezhës jep arrest me burg për 60 ditë për Mirash, Gëzim, Donald dhe Jetmir Paplekajn. 4 anëtarët e familjes Paplekaj dhunuan dhe kërcënuan me jetë Ylli Kacolin mbrëmjen e 29 prillit, pasi ai i kishte publikuar video të Gëzim Paplekës me figurë dhe zë ku tregonte se kishte marrë 200 mijë lekë për 4 vota, të tijën dhe të familjarëve.

Pas publikimit të videos Gëzim Paplekaj u shoqërua në komisariatin e Lezhës për të sqaruar të vërtetën në lidhje me atë video. Gëzim Paplekaj së bashku me 3 personat e tjerë nga fisi Mirash Paplekaj,  54 vjeç,  Donald Paplekaj, 22 vjeç dhe Jetmir Paplekaj, 29 vjeç, kanë dhunuar dhe kërcënuar me jetë Ylli Kacolin.

Referuar dosjes hetimore Ylli Kacoli dhe përsoni që shfaqet në video Gëzim Paplekaj ishin të njohur me njëri tjeterin dhe që të dy ishin punëtor sezonal në Mal të Zi.Video në fjalë është regjistruar në shtetin fqinj dhe më pas dyshohet të jetë shpërndarë nga Ylli Kacoli.Publikimi i kësaj video ka irrituar pjestaret e fisit Paplekaj, të cilët e kanë marrë në Mal të Zi Ylli Kacolin me pretendimin se do shkonin në Shqipëri për të sqaruar situaten.

Por kur kanë hyre në territorin shqiptar ata e kanë çuar 38-vjeçarin në zonen e Torovicës dhe përmes dhunës e kanosjes i kanë kërkuar që të bënte dëshmi të rreme, duke i kërkuar që të deklaronte se në momentin që është bërë video Gëzim Paplekaj ka qenë në gjendje të dehur.Por kjo nuk është pranuar nga 38-vjeçari i cili ka bërë menjëherë kallëzim në polici dhe blutë arrestuan menjehërë agresoret shtetasit Gëzim, Mirash, Donald dhe Jetmir Paplekaj. Ndërkaq avokati Ndre Molla thotë se sipas tij nuk ekziston vepra penale.

b.ha./Shqiptarja.com