Video e Gëzim Paplekës me figurë dhe zë se kishte marrë 200 mijë lekë për 4 vota, të tijën dhe të familjarëve, në Lezhë u bë virale duke nisur hetimin e tij në gjendje të lirë. Pas publikimit të videos Gëzim Paplekaj u shoqërua në komisariatin e Lezhës për të sqaruar të vërtetën në lidhje me atë video, ndërsa për rastin SPAK nisi hetimet.

Por publikimi i kësaj video në rrjetet sociale nga Ylli Kacoli, 38 vjeç, nuk është pritur mirë nga vetë Gëzim Paplekaj dhe të  afërmit e tij. Ai së bashku me 3 personat e tjerë nga fisi Mirash Paplekaj,  54 vjeç,  Donald Paplekaj, 22 vjeç dhe Jetmir Paplekaj, 29 vjeç, kanë dhunuar dhe kërcënuat me jetë Ylli Kacoli, i cili kishte bërë publike videon ku pretendohej blerja e votave.

Mirash Paplekaj,  54 vjeç, Gëzim Paplekaj, 50 vjeç,  Donald Paplekaj, 22 vjeç dhe Jetmir Paplekaj, 29 vjeç, të gjithë  banues nё Torovicё të Lezhёs janë arrestuar pas mesnate pasi kanë kërcënuar me jetë dhe dhunuar Ylli Kacolin, 38 vjeç, nga Kamza.

Sipas policisë, dhunimi i Ylli Kacollit ka ndodhur më 29 prill në orën 12:00 në Torovicë të Lezhës. Gëzim Papleka dhe të afërmit e tij i dëmtuan makinën, e dhunuan dhe e kanosën me jetë në mënyrë që të bëjë dëshmi të rremë para policisë, për të shpëtuar nga ndëshkimi Paplekën.

Ky është rasti i dytë që janë referuar materialet në SPAK për krime zgjedhore në zonën e Lezhës. Më herët, u referua edhe një procedim për blerje vote nga përfaqësues të LSI.  Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur 33 procedime penale për korrupsion në zgjedhje. Hetimet kanë nisur duke filluar që nga korrupsioni aktiv në zgjedhje, korrupsioni pasiv, shpërdorim detyre apo edhe përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.