E qëlloi policia greke duke transportuar drogë, identifikohet shqiptari i vrarë

23 Nëntor 2018, 18:43

GREQI - Altin Mullai është shqiptari i vrarë nga policia greke mbrëmjen e djeshme, gjatë një përplasjeje me armë zjarri pranë zonës së Janinës. 39-vjeçari sëbashku me 3 shqiptarë të tjerë po transportonte lëndë narkotike me çanta, kur policia greke shkëmbeu zjarr. Nga konfrontimi me armë zjarri mbeti i plagosur edhe një efektiv policie grek, i cili gjendet momentalisht në spitalin "Haxhikosta" në Janinë. 

Sipas burimeve të Report Tv, Altin Mullai ka qenë një person me precedent kriminal. Mulla u dënua më 13 mars të 2006-s nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 16 vjet e 8 muaj burg për veprën penale "Vrasje me dashje" dhe u arrestua më 30 tetor të 2015-s. Mullai u lirua nga IEVP Peqin, ku vuante dënimin për plotësim afati, më datë 3 gusht të 2018-s.

Mediat greke raportuan ditën e djeshme se Mullai sëbashku me 3 shqiptarët e tjerë, po mundoheshin të kalonin nga kufiri konkretisht çanta me 13 pako që përmbanin 166 kg e 200 gram marijuanë. Krahas sekuestrimit që iu bë lëndës së tyre narkotike, policia greke iu sekuestroi edhe dy armë të tipit kallashnikov. 

Paraprakisht mendohet se vrasja e 39-vjecarit mendohet të jetë një formë hakmarrjeje e policisë së shtetit fqinj përkundrejt ekzekutimit të ekstremistit grek nga policia shqiptare. Kujtojmë që më datë 28 tetor, ekstremisti grek Konstantinos Kaçifa u ekzekutua në Bularat të Gjirokastrës, pasi 35-vjeçari terrorizoi me breshëri kallashnikovi Gjirokastrën dhe sulmoi policinë.