Zbardhen komunikimet e fundit mes kullës së kontrollorëve dhe pilotit të helikopterit ushtarak dhe avionit të pasagjerëve, pak sekonda para përplasjes mes dy mjeteve fluturuese, që ka shkaktuar një tragjedi ajrore në aeroportin “Ronald Reagan” të Uashingtonit ditën e sotme (30 janar).
Para se avioni i American Airlines të përplasej dhe të binte në lumin Potomac duke u ndarë në dy pjesë mes flakëve, u regjistruan edhe bisedat audio nga komunikimet mes kontrollorëve të trafikut ajror, pilotëve dhe ekipeve të shpëtimit.
Në audion e transmetuar nga CNN, një kontrollor i trafikut ajror mund të dëgjohet duke pyetur operatorin e helikopterit nëse ai mund ta shohë avionin e pasagjerëve.
“PAT 2-5 e shihni CRJ përballë jush? PAT 2-5 kalon pas CRJ", thotë kontrollori, i ndjekur menjëherë nga një fjalim i paqartë dhe një "Uhhh" me zë të lartë dhe një tjetër ”O Zot...”, ndoshta në momentin e përplasjes së avionit me helikopterin.
Lëvizja tjetër e kullës së kontrollit ishte të informonte pilotin për një tjetër fluturim për atë që kishte ndodhur:
“Nuk e di nëse keni dëgjuar, por ka pasur një përplasje në fund të pistës 3-3. Do të jemi të mbyllur për një periudhë të panjohur”, komunikon kulla.
"Po, ne ishim afër aeroportit dhe pamë shkëndija nga përtej Potomac", tha një tjetër pilot.
















