Pasi kërkoi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkimin e Erion Veliajt dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja për bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryebashkiake.
Aktualisht Manastirliu mban detyrën e ministres së Arsimit, por ky vendim i Ramës duket se e kapi në befasi.
Lajmi për kandidimin që u njoftua në Asamblenë e PS, ishte i papritur për të gjithë. Këtë e tha edhe Rama, që e konsideroi “bombë të palajmëruar”.
Ndërkohë, kryeministri i shprehu mbështetjen Manastirliut dhe tha se është figura e përshtatshme për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.
“E di që nuk do ma falësh kollaj në një kohë më të gjatë mbase kësaj here këtë bombë të palajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën. Prandaj PS nuk ka më as çfarë pret për ta vënë lokomotivën në lëvizje me ritmin e saj më të lartë, duke ngritur në kabinën e drejtimit makinistin e duhur. Duhet të më besosh ti e të gjithë. Nuk kemi pse kërkojmë një person më të përshtatshëm. Është radha jote ta udhëheqësh Tiranë me ambicien, qetësinë që të karakterizon në të gjitha detyrat sfiduese. Ndërsa detyra jonë është të të mbështesim duke u bënë në rresht pas teje”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.


















