Editorial/ Meta-Basha, koordinim për bllokimin e negociatave?

6 Mars 2020, 21:07

Propozimet e fundit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për reforme zgjedhore radikale që kërkon kohë përtej 15 marsit , afati i fundit i vendosur për miratimin e reformës zgjedhore, bashkë me letrën e Metës drejtuar Brukselit ku rendiste një sërë kritikash për raport progresin për Shqipërinë, duket si një përpjekje e koordinuar mes palëve për të bllokuar çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Në fakt plotësimi e reformës zgjedhore eshte nje nga kushtet per te marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave, të parashikuara për muajin maj, ndërkohë që kushtet e reja të vendosur nga Lulzim Basha patjetër që do të shkelnin këtë afat.

Vetëm pak ditë më parë presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim kokë më kokë në presidencë me kreun e PD Lulzim Basha. Një takim informal të panjoftuar për mediat. Nuk dihet se çfarë ata të dy kanë biseduar në atë takim, por qëndrimet e fundit tregojnë se janë koordinuar për bllokimin e mundshëm të negociatave.

Të paktën kjo duket nga nismat që kanë ndërmarrë si Meta dhe Basha gjatë dy ditëve të fundit.

Kështu Meta shpalli hapur nisjen e një fushate protestash në çdo qytet si dhe i dërgoi letër komisionerit për zgjerimin përmes të cilës nxinte situatën në Shqipëri. Ndërsa Basha sot në mënyrë të papritur, në një moment kur reforma zgjedhore po shkon drejt përmbylljes pas një faze të gjatë diskutimesh, propozoi një listë me kërkesa që kundërshtojnë konsensusin e arritur mes palëve dhe që shkojnë përtej 15 marsit.

E gjithë kjo duket si një përpjekje e përbashkët për të bllokuar negociatat dhe për të penguar Ramën për të marrë një tjetër meritë politike, pas suksesit të arritur në konferencën e donatorëve.