Një ditë pas protestës Kreu i Shtetit Ilir Meta thërret në Presidencë kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Takimi i zhvilluar larg syrit të medias ka zgjatur rreth 60 minuta dhe mendohet të jetë diskutuar në lidhje me manifestimin që u zhvillua një ditë më parë dhe hapat që do të ndiqen në ditët në vijim.

Report Tv publikoi pamjet ku makina e liderit të opozitës, Basha del pas përfundimit të takimit me Metën nga ambientet e Presidencës.

Mendohet se Basha u thërrit në takim nga Meta për ta falenderuar për mbështetjen që i dha gjatë tubimit të 2 marsit, por duket se kërkon ende mbështetjen e opozitës lidhur me skenarët e tjerë të mundshëm dhe veprimet që do pasojnë tubimin. Ishte vetë Presidenti Meta, i cili u shpreh gjatë manifestimit se 2 Marsi ishte vetëm fillimi dhe se nuk do të ndalet deri në rikthimin e ligjshmërisë në vend për të rrëzuar atë që e cilëson 'grusht shteti' dhe kërkon të kap Kushtetutën e të marrë kompetencat e tij.

Në tubimin e 2 marsit, Meta firmosi para njerëzve të mbledhur në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' dekretin e tij të parë për rrëzimin e marrjes së kompetencave të Presidentit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit kërcënoi dhe paralajmëroi mazhorancën se nëse nuk ka reflektim nga ana e saj brenda 15 marsit dhe të tërhiqet nga veprimet e saj antikushtetuese, do të firmosë në të njëjtën mënyrë me popullin në krah dekretin për shpërndarjen e parlamentit, që sipas tij është ilegjitim dhe e cilëson 'parlament mavri' apo 'parlament dele'. Tubimi pritet të ketë efekte politike dhe presidenti Meta duket i vendosur për rivendosjen e saj që e quan 'sovranitetin e plotë të popullit shqiptar',  ku hodhi akuza dhe ndaj ndërkombëtarëve që i quajti 'organizatë mafioze' të cilët kanë luajtur me sovranitetin e shqiptarëve.

Për herë të parë gjatë një tubimi apo protestë, përdorimi i flamurit amerikan, solli një reagim të ambasadës së SHBA. Yuri Kim bëri një distancim të menjëhershëm, e cila u shpreh se nuk kishin asnjë lidhje me 'manifestimin'  në thonjëza të Presidentit. Një mesazh që më shumë se sa me përdorimin e flamurit u duk se i drejtohej vetë tubimit të Presidenti Meta dhe mesazheve që ai dha para njerëzve të mbledhur në shesh.  Sa për kërcënimet për shpërndarje të parlamentit, kryeministri Rama tha se Presidenti nuk e ka tagrin dhe të drejtën për ta bërë, ndërsa shtoi se nuk është aspak i çuditur nga "shpërthimet" e Ilir Metës apo sulmeve të tij ndaj ambasadorëve.

Makina e Bashes duke dale nga Presidenca