Eduart Ndocaj: Berisha duhet të ishte në burg te 313-ta dhe jo në fushatë, antishqiptar që ndihmoi serbët! Të hetohen krimet e tij që nga 1991, përfshi dhe aksidentin e Olldashit

28 Mars, 19:48

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duhet të ishte në burg te 313-a dhe jo në fushatë elektorale për të kërkuar rikthimin e tretë në pushtet në këto tre dekada.

Kështu u shpreh ish-deputeti ‘kaubojs’ Eduart Ndocaj, i ftuar sot (28 mars) në ‘Studio Live’ të Report Tv.

Me anë të një lidhjeje Skype nga Italia, ai komentoi zhvillimet e fundit politike, teksa kërkoi që SPAK të hetonte të gjithë veprimtarinë antikombëtare të Berishës që nga vrasjet e 2 prillit në Shkodër mbi tre dekada më parë, Gërdeci, 21 janari, furnizimi i makinerisë ushtarake të Millosheviçit me naftë dhe kundër Kosovës e deri te aksidenti misterioz i ish-deputetit dhe ministrit Sokol Olldashi, në vitin 2013 në Krrabë të Tiranës.