Dorëzuan mandatet e përfaqësimit në Kuvend në mars të vitit 2019, me qëllimi krijimin e një krize politike për të rrëzuar qeverinë ‘Rama’ dhe për të marrë pushtetin, por krerët e opozitës shqiptare nuk kanë hequr dorë në asnjë moment nga të gjitha përftimet e mundshme që burojnë nga statusi i ish deputetit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë vitit 2020, rezulton se ka përfituar 940 620 lekë ose rreth 9 mijë USD nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në formën e pagesës kalimtare pas dorëzimit të mandatit. Mbi 9 mijë USD ka futur në xhep edhe Sali Berisha gjatë vitit 2020, ndonëse ishte nxitësi dhe mbështetësi kryesor vendimit për ‘djegien’ e mandateve të deputetëve.
Berisha dhe Kryemadhi kanë aplikuar për pagesë kalimtare nga ISSH, duke shfrytëzuar një hapësirë ligjore në ligjin e ’96 për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese, ku për deputetët parashikohet që pas largimit nga funksioni, u jepen dy paga mujore dhe më pas marrin 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion. Përpos Berishës dhe Kryemadhit, kanë aplikuar për gjysmën e pagës edhe 43 ish deputetë të tjerë të PD-LSI.Pothuajse të gjithë përfaqësuesit e linjës radikale të opozitës kanë aplikuar për gjysmën e pagës. Ish-ligjvënësit e opozitës, gjatë vitit 2020, kanë përfituar në total 41 387 280 lekë për vitin 2020 ose rreth 400 mijë USD nga buxheti i shtetit. Disa prej tyre, të cilët nuk do të jenë pjesë e Parlamentit të ri që prodhuan zgjedhjet e 25 prillit 2021, do të vijojnë përfitimin financiar deri në mars të vitit 2022. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili vijon të mbrojë si një vendim të drejtë aktin politik të djegies së mandateve, nuk ka përfituar pagesë kalimtare, për shkak të mos aplikimit.















