Ekskluzive/ Enkelejda Hoxha rrëfehet nga qelia dhe hap letrat: Si i lirova të dënuarit para kohe, gabova me Hekuran Billën

16 Mars 2021, 15:09

TIRANË- Gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka thyer heshtjen për herë të parë, duke folur nga qelia, ku është izoluar me kërkesë të SPAK që në 11 shkurt 2021, pasi u arrestua në sallën e gjyqit teksa po lironte vrasësin e radhës nga burgu. Shqiptarja.com zbardh rrëfimin e gjyqtares së Krujës për Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke dhënë versionin e saj për lirimin nga burgu të Indrit Dokles dhe Hekuran Billës, që të dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Gjyqtarja pranon se ka kryer shkelje, kur ka liruar nga burgu në shkurt të 2019 Hekuran Billën, i cili u vra në qershor 2020. 

Duke pranuar pjesërisht gabimin, Enkelejda Hoxha ka kërkuar një marrëveshje me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, duke pranuar që të ndëshkohet me një masë disiplinore të lehtë, por jo me shkarkim nga detyra. Ky propozim nuk është pranuar nga kreu i ILD-së, i cili i ka kërkuar KLGJ-së të shkarkojë gjyqtaren nga detyra, pasi ka liruar jo dy, por pesë të dënuar, duke në shkelje flagrante të ligjit. 

Ndërsa për lirimin e Indrit Dokles, gjyqtarja Enkelejda Hoxha thotë se e ka marrë vendimin bazuar në dokumentacionin e përcjellë nga burgu i Fushë-Krujës, ku përfshihet konkluzioni i mjekut se i dënuari kishte probleme shëndetësore, raporti pozitiv i shërbimit të provës në Krujë dhe i gjithë dokumentacioni i parashikuar në ligj. Me këtë qëndrim, Hoxha zgjeron rrethin të të implikuave në biznesin e lirimit nga burgu të ish-krerëve të bandave. 

Për të dy rastet në fjalë, gjyqtarja e Krujës thekson se prokurori i çështjes dhe kryeprokurori i Krujës nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimeve të saj. Bëhet fjalë për Prokurorin Bujar Memia, për të cilin ILD ka kërkuar gjithashtu që të shkarkohet, pasi ka heshtur për lirimin nga burgu të të dënuarave para afatit. 

Ndërkaq, në rrëfimin e saj, Enkelejda Hoxha thotë se edhe gjyqtarë të tjerë kanë liruar në të njëjtën mënyrë të dënuar nga burgu para kohe, por sipas saj, këto raste nuk janë trajtuar as nga mediat dhe as nga organet e drejtësisë. Hoxha ndalet në disa raste konkrete.