ELBASAN - Zbulohen emrat e dy personave, për të cilët pretendohet se janë urdhëruesve të rrëmbimit në Elbasan të Aurel Gunit (Lexo këtu). Report Tv ekskluzivisht, ka arritur të mësojë disa detaje që oficerët e policisë gjyqësore, kanë regjistruar, në denoncimin e biznesmenit Aurel Guni, i cili mbrëmjen e të premtes u rrëmbye nga Bexhet Musmuça, tashmë i arrestuar sëbashku me një vajzë e cila besohet se është e dashura e tij.
Aurel Guni gjatë dhënies së denoncimit ka pohuar se Bexhet Musmuça, i ka thënë se ishte urdhëruar ta çonte tek Ardjan Çapja dhe te Ervis Çaushllari. Në dëshminë e tij të cilën Report TV e disponon por nuk e publikon për arsye të hetimeve, Aurel Guni ka deklaruar se:
“Pastaj Bexheti më tha që duhet të më çonte tek Ard Çapja dhe Ervis Çaushllari. "Të kërkojnë ata të dy, dhe mua më kanë thënë. Ose na sill Aurelin, ose do të të vrasim çunin. Nuk e di çfarë ke me ta, por unë nuk do rrezikoj çunin tim për ty, prandaj eja me mua dhe mbylle se ndryshe do të vras ty. S’je ti më i rëndësishëm se çuni im,”- kështu më tha. I njoh të dy personat, nuk kam asnjë konflikt me ata. Nuk e di për çfarë më kërkonin. Nuk mendoja që Bexheti do të më çonte aty”.
Një ditë më parë policia e Elbasanit përmes një njoftimi të dytë për këtë ngjarje të rëndë tha se Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë Bexhet Musmuça, 39 vjeç, pasi ky i fundit e ka goditur me sende të forta dhe i ka marrë automjetin Aurel Gunit.
Është arrestuar edhe shtetasja Fjona Cani 28 vjeçe, pasi dyshohet se u ka bërë presion familjarëve të dëmtuarit Aurel Guni, për të tërhequr kallëzimin.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale, "Vjedhje me dhunë" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" për shtetasin Bexhet Musmuçën ndërsa për shtetasen Fjona Cani për veprën penale "Kanosja për të mos kallëzuar".
Ditën e premte, biznesmeni Aurel Guni, njëherazi këshilltar i PDIU dhe vëllai i drejtorit të ALUIZNI-t në Elbasan, u tentua të rrëmbehej nga Bexhet Musmuça. Guni shpëtoi nga pengmarrja pasi u largua nga makina ku ndodhej bashkë me rrëmbyesin, i cili e goditi edhe me qytën e pistoletës. Guni e kallëzoi në Polici Musmuçën dhe tha se ky i fundit kishte marrë porosi nga një grup kriminal për t’a rrëmbyer dhe për t’i marrë disa informacione për një tjetër grup rival në Elbasan.