Report Tv ka siguruar emrat e dy shqiptarëve të arrestuar në Greqi gjatë ditës së djeshme, ku u kapën me një sasi prej 104 kg kokainë të një cilësie të lartë. Dy të arrestuarit shqiptarë janë Erjon Metkaj, 40 vjeç dhe Jonid Billa, 33-vjeçar, ky i fundit ish-oficer i Marinës shqiptare. Shqiptarja.com mëson në mars 2013, Billa, i diplomuar në Turqi, është liruar nga detyra duke vazhduar me aktivitet privat sërish në fushën e marinarit.
Po ashtu në këtë operacion u arrestua edhe një kroat i quajtur Anta Bilic.Aksioni për arrestimin e shqiptarëve u organizuar në Attica ku këta persona kishin një banesë në të cilën kishin fshehur edhe sasinë prej 104 kilogram kokainë. Policia greke publikoi edhe pamjet gjatë operacionit ku shqiptarët e kishin fshehur kokainën në enë që ishin mbushur me rërë, në furra buke, dhe një pjesë të madhe poshtë dyshekut ku flinin.
Po kështu sipas mediave greke dy shqiptarëve dhe kroatit të arrestuar iu sekuestruan edhe rreth 825 mijë euro të cilat dyshohet se kanë ardhur nga trafiku i lëndës narkotike. Njëri prej shqiptarëve sipas mediave greke, thuhet se ishte edhe drejtuesi i grupit, ndërsa në momentin që u arrestua, ka ironizuar edhe policinë duke thënë: Bravo më kapët.
Vetëm pak kohë më parë në Greqi u sekuestrua një sasi rekord kokaine e ardhur me konteinerë bananesh nga Ekuadori. Një pjesë e të cilës kishte destinacion portin e Durrësit, ku falë një bashkëpunimi me DEAN amerikane , në Durrës u vunë në pranga, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka.