Përbën një pasuri të muzikës sonë polifonike që bën bashkë këngën, vallen dhe një kaba toske me gërnetë, violinë dhe saze.
Kënga në sfond është kënga origjinale kushtuar heroit të popullit në frontin e luftës së Vlorës, Selam Musait, interpretuar nga mjeshtri Bilbil Vlora një ndër reformuesit kryesorë të muzikës qytetare me saze në Labëri, që ka ndihmuar shumë në popullarizimin e saj. Për herë të parë pllakat origjinale të gramafonit, si edhe fotografi të vjetra nga jeta dhe veprimtaria artistike e Bilbil Vlorës u ekspozuan në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri në 135 vjetorin e lindjes së artistit. Gjetja dhe konservimi prej stërnipit i disa disqeve origjinale gramafoni të regjistruara nga Bilbil Vlora dhe shoqëria e tij muzikore, pranë shtëpisë diskografike “Columbia” në fillim të viteve `30 të shekullit të kaluar ishte rastësi dhe erdhi në kuadër të studimit të artefakteve kulturore në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë.