Ekzekutimi me snajper i 23-vjeçarit në Vlorë, një plumb në kokë i mori jetën! 2 të tjerë ndihmuan autorin të largohet! 10 të shoqëruar

8 Janar, 08:14

Një plumb në kokë i mori jetën 23-vjeçarit Gëzim Sinomati, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme (7 janar) në Vlorë teksa doli në ballkonin e banesës për të pirë cigare. I riu që sapo ishte kthyer nga Belgjika u qëllua me snajper, një ekzekutim mafioz të cilit nuk i mbijetoi dot.  

Burime për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili thonë se ekzekutori dyshohet se ka qenë një person, i cili më pas është ndihmuar nga 2 persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, sapo i riu është qëlluar me plumb në kokë, dritat në zonë janë fikur dhe qyteti ka qenë në errësirë.

Nuk dihet nëse kjo ishte planifikuar nga autorët apo ka qenë thjesht një rastësi, por ekzekutori ka përfituar nga errësira për t’u larguar pa lënë gjurmë. Deri më tani janë shoqëruar në polici 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen.